Mishërimi i Fjalës
1Në fillim ishte Fjala. Fjala ishte me Perëndinë. Fjala ishte Perëndi. 2Fjala ishte që në fillim me Perëndinë. 3Gjithçka u bë nëpërmjet tij dhe asgjë e krijuar nuk u bë pa të. 4Në të gjendej jeta dhe jeta ishte drita e njerëzve. 5Drita ndriçon në errësirë dhe errësira nuk e mundi dot. 6Perëndia dërgoi një njeri që quhej Gjon. 7Ai erdhi të jepte dëshmi për dritën, që të gjithë të besojnë nëpërmjet tij. 8Ai nuk ishte drita, por dëshmitar i dritës. 9Fjala ishte drita e vërtetë, e cila vjen në botë dhe ndriçon çdo njeri. 10Ai ishte në botë dhe bota u bë nëpërmjet tij, por bota nuk e njohu. 11Ai erdhi në vendin e vet, por njerëzit e tij nuk e pranuan. 12Atyre që e pranuan dhe besuan në emrin e tij, u dha të drejtën të bëhen bij të Perëndisë. 13Ata nuk lindën prej gjakut, as prej vullnetit njerëzor a prej dëshirës së burrit, por prej Perëndisë. 14Dhe Fjala u mishërua e banoi mes nesh. Ne e pamë lavdinë e tij, lavdi e Birit të vetëmlindur të Atit, plot hir dhe të vërtetë. 15Gjoni dëshmoi për të. Ai tha me zë të lartë: «Ky është ai për të cilin thashë: Ai që vjen pas meje është më i madh se unë, sepse ishte para meje». 16Ne të gjithë morëm hir mbi hir prej plotësisë së tij. 17Ligji u dha përmes Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën përmes Jezu Krishtit. 18Askush nuk e ka parë ndonjëherë Perëndinë. Biri i vetëmlindur që është në gjirin e Atit, ai na e bëri të njohur.
Jezui pastron tempullin
13Meqenëse po afrohej Pashka e judenjve, Jezui shkoi në Jerusalem. 14Në tempull ai gjeti tregtarët e qeve, të deleve dhe pëllumbave, si dhe këmbyesit e parave që rrinin ulur. 15Pasi bëri një fshikull me litarë, i dëboi të gjithë prej tempullit bashkë me delet dhe qetë, derdhi të hollat e këmbyesve të parave dhe pastaj përmbysi tryezat e tyre. 16Ndërsa tregtarëve të pëllumbave u tha: «Hiqini këto gjëra që këtej dhe mos e bëni vend tregtie shtëpinë e Atit tim!». 17Dishepujve të tij iu kujtua ajo pjesë e Shkrimit të shenjtë që thotë: Zelli për shtëpinë tënde do të më djegë. 18Atëherë ndërhynë disa judenj dhe e pyetën: «Me çfarë mrekullie na bind se mund t'i bësh këto gjëra?». 19Jezui iu përgjigj: «Shkatërrojeni këtë tempull dhe për tri ditë unë do ta ringre». 20Atëherë judenjtë i thanë: «U deshën dyzet e gjashtë vjet për ta ndërtuar këtë tempull dhe ti do ta ringresh për tri ditë?». 21Por ai po fliste për tempullin e trupit të tij. 22Kur u ngjall prej të vdekurve, dishepujt e tij kujtuan këto fjalë dhe i besuan Shkrimit të shenjtë dhe fjalëve që kishte thënë Jezui. 23Gjatë qëndrimit të Jezuit në Jerusalem për festën e Pashkës shumë veta i besuan atij pasi panë mrekullitë që bënte. 24Por vetë Jezui nuk u zinte besë atyre, sepse i njihte të gjithë. 25Ai nuk kishte nevojë që t'i tregonin asgjë për njerëzit, pasi e dinte se ç'kishte përbrenda njeriut.
Jezui dhe Nikodemi
1Midis farisenjve ishte një njeri që quhej Nikodem. Ky ishte njëri nga krerët e judenjve. 2Ai shkoi natën te Jezui dhe i tha: «Mësues, e dimë se vjen nga Perëndia, sepse askush nuk mund të bëjë mrekullitë që bën ti, nëse Perëndia nuk është me të». 3Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po të them se ai që nuk lindet përsëri, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë». 4Nikodemi i tha: «Si mund të lindet përsëri një njeri kur është i thyer në moshë? A mund të hyjë për së dyti në barkun e nënës dhe të lindet përsëri?». 5Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po të them se ai që nuk lind nga uji dhe nga Shpirti i Shenjtë, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë. 6Ajo që ka lindur nga njeriu është njerëzore, ajo që ka lindur nga Shpirti i Shenjtë është shpirt. 7Mos u çudit se të thashë: “Duhet të lindeni përsëri.” 8Era fryn ku të dojë; ushtimën ia dëgjon, por nuk e di nga vjen e ku shkon. Kështu janë edhe ata që linden nga Shpirti i Shenjtë». 9Nikodemi e pyeti: «Si mund të ndodhin këto gjëra?». 10Jezui u përgjigj: «Ti je mësues i Izraelit dhe nuk i kupton këto gjëra? 11Me të vërtetë po të them: flasim atë që dimë dhe dëshmojmë atë që kemi parë, por ju nuk e pranoni dëshminë tonë. 12Nëse nuk më besoni kur ju flas për gjërat tokësore, si do të më besoni po t'ju flas për gjërat qiellore? 13Askush nuk është ngjitur në qiell, përveç Birit të njeriut që ka zbritur prej qiellit. 14Ashtu si Moisiu lartësoi gjarprin prej bronzi në shkretëtirë, kështu duhet të ngrihet lart edhe Biri i njeriut, 15që kushdo që beson në të, të ketë jetën e amshuar. 16Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetën e amshuar. 17Perëndia nuk e dërgoi Birin në botë për ta gjykuar botën, por që bota të shpëtohet nëpërmjet tij. 18Kush beson në të nuk gjykohet, ndërsa kush nuk beson në të është gjykuar tashmë, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë. 19Gjykimi është ky: Drita ka ardhur në botë, por njerëzit kanë dashur errësirën më shumë se dritën, sepse veprat e tyre ishin të liga. 20Kush bën gjëra të këqija e urren dritën dhe nuk del në dritë, që të mos zbulohen veprat e tij. 21Ndërsa kush bën të vërtetën del në dritë, që të shfaqet se veprat e tij janë bërë me fuqinë e Perëndisë».
Jezui dhe gruaja nga Samaria
1Kur Jezui mori vesh se farisenjtë kishin dëgjuar se ai po bënte më shumë dishepuj se Gjoni dhe se po pagëzonte, 2ndonëse nuk pagëzonte Jezui vetë, por dishepujt e tij, 3la Judenë dhe shkoi përsëri në Galile. 4Për të arritur atje, i duhej të kalonte nëpër Samari. 5Kështu mbërriti në një qytet të Samarisë që quhet Sihar, pranë arës që Jakobi i kishte dhënë Jozefit, birit të tij. 6Atje ndodhej pusi i Jakobit. Jezui, i lodhur nga rruga, u ul te pusi. Ora ishte rreth dymbëdhjetë e drekës. 7-8Ndërkohë që dishepujt kishin shkuar në qytet për të blerë ushqime, një grua nga Samaria erdhi për të mbushur ujë. Jezui i tha: «Më jep të pi!». 9Gruaja samaritane i tha: «Ti që je jude, si kërkon të pish ujë nga unë që jam grua samaritane?». Dihet se judenjtë nuk shoqërohen me samaritanët. 10Jezui u përgjigj: «Sikur ta njihje dhuratën e Perëndisë dhe atë që po të kërkon për të pirë, atëherë ti do të kërkoje prej tij dhe ai do të të jepte ujë të gjallë». 11Gruaja i tha: «Zotëri, ti nuk ke kovë dhe pusi është i thellë. Ku do ta gjesh ujin e gjallë? 12Mos je ti më i madh se Jakobi, ati ynë, që na e dha këtë pus? Ai vetë ka pirë prej këtij pusi bashkë me të bijtë dhe me bagëtitë». 13Jezui u përgjigj: «Kushdo që pi nga ky ujë do të ketë etje përsëri, 14por ai që do të pijë nga uji që do t'i jap unë, nuk do të ketë kurrë më etje. Uji që unë do t'i jap do të bëhet brenda tij burim për jetën e amshuar». 15Gruaja i tha: «Zotëri, jepma këtë ujë, që të mos kem më etje dhe të mos vij më këtu për të mbushur ujë». 16Jezui i tha: «Shko, thirr burrin tënd dhe kthehu këtu». 17Gruaja iu përgjigj: «Nuk kam burrë». Jezui i tha: «Mirë e the, nuk ke burrë, 18sepse ke pasur pesë burra dhe ky që ke tani nuk është burri yt. Këtu ke thënë të vërtetën». 19Gruaja i tha: «Zotëri, po shoh se je profet. 20Etërit tanë samaritanë e kanë adhuruar Perëndinë në këtë mal, ndërsa ju judenjtë thoni se vendi ku duhet adhuruar Perëndia është në Jerusalem». 21Atëherë Jezui i tha: «Më beso, o grua, se po vjen koha kur nuk do ta adhuroni Atin as në këtë mal, as në Jerusalem. 22Ju adhuroni atë që nuk e njihni. Ne adhurojmë atë që njohim, sepse shpëtimi vjen nga judenjtë. 23Po vjen koha, e tashmë ka ardhur, kur adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Perëndinë në shpirt dhe në të vërtetë, sepse të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati. 24Perëndia është shpirt dhe ata që e adhurojnë duhet ta adhurojnë në shpirt dhe në të vërtetë». 25Gruaja i tha: «Unë e di se do të vijë Mesia që quhet Krisht. Kur të vijë, ai do të na tregojë gjithçka». 26Jezui i tha: «Unë jam, unë që po të flas». 27Ndërkohë mbërritën dishepujt e tij dhe u çuditën që ai po fliste me një grua. Megjithatë askush nuk i tha: «Çfarë kërkon?», apo: «Përse flet me të?». 28Gruaja la shtambën dhe shkoi në qytet për t'u thënë njerëzve: 29«Ejani e shikoni një njeri që më tregoi gjithçka që kam bërë. Të jetë vallë ai Krishti?». 30Atëherë ata dolën nga qyteti dhe shkuan te Jezui. 31Ndërkohë dishepujt po i luteshin: «Mësues, ha diçka!». 32Por ai u tha: «Unë kam një ushqim që ju nuk e njihni». 33Atëherë dishepujt filluan të pyesin njëri-tjetrin: «Mos i solli ndokush për të ngrënë?». 34Jezui u tha: «Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të përmbush veprën e tij. 35Ju keni një thënie: “Edhe katër muaj dhe vijnë të korrat”. Ndërsa unë ju them: “Hapni sytë e shikoni fushat që verdhojnë, gati për t'u korrur!” 36Ai që korr merr shpërblimin dhe grumbullon fryte për jetën e amshuar, që të gëzohen së bashku, si mbjellësi ashtu dhe korrësi. 37Sepse është e vërtetë fjala “Njëri mbjell dhe tjetri korr.” 38Unë ju dërgova të korrni atë për ç'ka ju nuk u munduat. Të tjerë u munduan dhe ju gëzuat frytet e mundimit të tyre». 39Shumë nga samaritanët e atij qyteti besuan në Jezuin nga dëshmia e gruas që thoshte: «Më tregoi gjithçka që kam bërë». 40Kur shkuan tek ai, samaritanët iu lutën të qëndronte me ta dhe ai qëndroi atje dy ditë. 41Edhe më shumë njerëz besuan në të kur dëgjuan fjalët e tij. 42Ndërsa gruas i thoshin: «Tani nuk besojmë më vetëm nga fjalët e tua, sepse e dëgjuam vetë dhe e dimë se ky është me të vërtetë Shpëtimtari i botës!».
Pushteti i Birit
19Atëherë Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them se Biri nuk mund të bëjë asgjë nga vetja, përveç asaj që sheh se bën Ati. Ato gjëra që bën Ati, bën edhe Biri. 20Ati e do Birin e i tregon gjithçka që bën. Ai do t'i tregojë vepra edhe më të mëdha, që ju të mrekulloheni. 21Sepse ashtu si Ati ngjall të vdekurit e u jep jetë, kështu edhe Biri u jep jetë atyre që dëshiron. 22Ati nuk gjykon njeri, por gjithë gjykimin ia ka lënë në dorë Birit, 23që të gjithë ta nderojnë Birin ashtu siç nderojnë Atin. Kush nuk nderon Birin, nuk e nderon as Atin që e ka dërguar. 24Me të vërtetë po ju them se ai që dëgjon fjalët e mia dhe i beson atij që më ka dërguar, ka jetën e amshuar e nuk do të gjykohet, pasi ka kaluar tashmë nga vdekja në jetë. 25Me të vërtetë po ju them se po vjen një kohë, e madje ajo ka ardhur, kur të vdekurit do të dëgjojnë zërin e Birit të Perëndisë dhe ata që do ta dëgjojnë, do të jetojnë. 26Sikurse Ati është burimi i jetës, kështu e ka bërë edhe Birin të jetë burim jete 27dhe i ka dhënë të drejtën të gjykojë, sepse ai është Biri i njeriut. 28Mos u habitni për këtë, se po afron koha kur të gjithë të vdekurit do të dëgjojnë zërin e tij 29e do të dalin nga varret. Ata që kanë bërë të mirën do të ngjallen për të jetuar, ndërsa ata që bënë të keqen do të ngjallen për t'u gjykuar. 30Unë nuk mund të bëj asgjë nga vetja ime. Unë gjykoj sipas asaj që dëgjoj nga Ati im dhe gjykimi im është i drejtë, sepse nuk kërkoj të bëhet vullneti im, por vullneti i atij që më dërgoi».
Jezui është buka e jetës
25Kur e gjetën në bregun tjetër të liqenit, i thanë: «Mësues, kur erdhe këtu?». 26Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po ju them se ju nuk më kërkoni pse patë mrekulli, por sepse hëngrët prej bukëve dhe u ngopët. 27Mos punoni për ushqimin që prishet, po për ushqimin që mbetet për jetën e amshuar, të cilin do t'jua japë Biri i njeriut, sepse atij ia dha të drejtën Perëndia, Ati». 28Atëherë ata i thanë: «Çfarë duhet të bëjmë që të kryejmë veprat e Perëndisë?». 29Jezui u përgjigj: «Kjo është vepra e Perëndisë: të besoni në atë që ai dërgoi!». 30Ata i thanë: «Çfarë mrekullie mund të bësh që ta shohim dhe të të besojmë? Çfarë vepre mund të bësh? 31Etërit tanë hëngrën manën në shkretëtirë, ashtu siç thonë Shkrimet e shenjta: U dha për të ngrënë bukë prej qiellit». 32Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them: nuk jua dha Moisiu bukën prej qiellit, por Ati im ju jep bukën e vërtetë prej qiellit, 33sepse buka e Perëndisë është ai që zbret prej qiellit dhe i jep jetë botës». 34Atëherë ata i thanë: «Zot, na e jep përherë këtë bukë!». 35Jezui u tha: «Unë jam buka e jetës. Kush vjen tek unë nuk do të ketë më uri dhe kush beson në mua nuk do të ketë më kurrë etje. 36Por ju thashë se më keni parë dhe megjithatë nuk besoni. 37Të gjithë ata që më jep Ati do të vijnë tek unë dhe atë që vjen tek unë nuk do ta hedh kurrë jashtë, 38sepse nuk kam zbritur prej qiellit për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më dërgoi. 39Vullneti i atij që më dërgoi është të mos humbas asnjë nga ata që më dha, por t'i ngjall në ditën e fundit. 40Vullneti i Atit tim është që të gjithë ata që shikojnë Birin dhe besojnë në të, të kenë jetë të amshuar dhe unë do t'i ngjall në ditën e fundit». 41Atëherë judenjtë filluan të murmurisnin kundër Jezuit sepse kishte thënë: «Unë jam buka që zbriti prej qiellit». 42Ata thoshin: «A nuk është ky Jezui, i biri i Jozefit, nënën dhe babanë e të cilit i njohim? Si na thënka tani “unë kam zbritur prej qiellit”?». 43Jezui u përgjigj: «Mos murmurisni me njëri-tjetrin! 44Askush nuk mund të vijë tek unë nëse nuk e tërheq Ati që më dërgoi dhe unë ta ngjall në ditën e fundit. 45Profetët kanë shkruar: Të gjithë do të mësojnë prej Perëndisë. Kushdo që dëgjon Atin dhe mëson prej tij, vjen tek unë. 46Kjo nuk do të thotë se ndokush e ka parë Atin. Vetëm ai që është pranë Perëndisë e ka parë Atin. 47Me të vërtetë po ju them: ai që beson ka jetën e amshuar. 48Unë jam buka e jetës. 49Etërit tuaj hëngrën manën në shkretëtirë dhe vdiqën. 50Por kjo është buka që zbret prej qiellit. Kush ha prej saj nuk vdes kurrë. 51Unë jam buka e gjallë që zbret prej qiellit. Kush ha nga kjo bukë do të jetojë në amshim. Buka që do të jap unë është mishi im, që e jap për jetën e botës». 52Atëherë judenjtë filluan të grinden me njëri-tjetrin e thoshin: «Si mundet ky të na japë mishin e vet për të ngrënë?». 53Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them: nëse nuk hani mishin e Birit të njeriut dhe nuk pini gjakun e tij, ju nuk keni jetë. 54Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të amshuar dhe unë do ta ngjall në ditën e fundit, 55sepse mishi im është ushqim i vërtetë dhe gjaku im pije e vërtetë. 56Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim mbetet në mua dhe unë në të. 57Ashtu si Ati i gjallë më dërgoi e unë jetoj nëpërmjet tij, kështu edhe kush më ha mua do të jetojë nëpërmjet meje. 58Kjo është buka që zbriti prej qiellit, jo si mana që hëngrën etërit tuaj dhe vdiqën. Kush ha këtë bukë do të jetojë në amshim». 59Jezui i tha këto në sinagogë kur mësonte njerëzit në Kafarnaum.
Jezui është drita e botës
12Atëherë Jezui foli përsëri me ta dhe u tha: «Unë jam drita e botës. Kush vjen pas meje nuk do të ecë kurrë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës». 13Farisenjtë i thanë: «Ti po dëshmon për veten. Dëshmia jote nuk është e vërtetë». 14Jezui u përgjigj: «Edhe nëse unë dëshmoj për veten time, dëshmia ime është e vërtetë, sepse unë e di nga kam ardhur dhe ku po shkoj, ndërsa ju nuk e dini as nga vij dhe as ku po shkoj. 15Ju gjykoni si njerëz, ndërsa unë nuk gjykoj askënd. 16Po edhe kur unë gjykoj, gjykimi im është i drejtë, sepse nuk jam vetëm, por jemi unë dhe Ati që më dërgoi. 17Në ligjin e Moisiut shkruhet se dëshmia e dy njerëzve është e vërtetë. 18Unë dëshmoj për veten time dhe Ati që më dërgoi dëshmon për mua». 19Ata i thanë: «Ku është Ati yt?». Jezui u përgjigj: «Ju nuk më njihni as mua, as Atin tim. Po të më njihnit mua, do të njihnit edhe Atin tim». 20Ai i tha këto fjalë te vendi i thesarit, teksa mësonte njerëzit në tempull dhe askush nuk e kapi, sepse nuk i kishte ardhur ende koha.
Shërimi i atij që kishte lindur i verbër
1Ndërsa po ecte, Jezui pa një njeri që kishte lindur i verbër. 2Dishepujt e pyetën: «Mësues, kush ka mëkatuar që ai ka lindur i verbër, ai vetë apo prindërit e tij?». 3Jezui u përgjigj: «Nuk kanë mëkatuar as ai e as prindërit e tij, por ka lindur i verbër që në të të shfaqen veprat e Perëndisë. 4Sa është ditë, duhet të bëjmë veprat e atij që më dërgoi. Po vjen nata kur askush nuk mund të veprojë. 5Për sa kohë të jem në botë, jam drita e botës». 6Si tha këto, Jezui pështyu në tokë, bëri baltë me pështymë dhe ia leu sytë me baltë të verbërit. 7Pastaj i tha: «Shko dhe lahu te pishina e Siloamit!», që do të thotë i Dërguari. Ai shkoi, u la dhe kur u kthye, shikonte. 8Atëherë fqinjët dhe ata që më përpara e kishin parë duke lypur, thoshin: «A nuk është ky ai që rrinte ulur dhe lypte?». 9Disa thoshin: «Ai është», ndërsa të tjerë: «Jo, nuk është ai, por i ngjan». Ndërsa ai vetë thoshte: «Unë jam». 10Atëherë ata e pyetën: «Si t'u hapën sytë?». 11Ai u përgjigj: «Njeriu që quhet Jezu bëri baltë, m'i leu sytë dhe më tha: “Shko te pishina e Siloamit dhe lahu!”. Unë shkova, u lava dhe pashë». 12Ata e pyetën: «Ku është ai njeri?». Ai u përgjigj: «Nuk e di».
Jezui është bariu i mirë
7Jezui u tha përsëri: «Me të vërtetë po ju them: Unë jam dera e deleve. 8Të gjithë sa erdhën para meje janë vjedhës dhe kusarë, por delet nuk i dëgjuan. 9Unë jam dera. Kush hyn nëpërmjet meje do të shpëtojë. Do të hyjë e do të dalë dhe do të gjejë kullotë. 10Vjedhësi vjen vetëm për të vjedhur, për të vrarë e për të shkatërruar. Unë erdha që të kenë jetë dhe ta kenë të plotë. 11Unë jam bariu i mirë. Bariu i mirë jep jetën për delet. 12Ndërsa rrogëtari, që nuk është bari dhe nuk i ka delet të tijat, kur shikon ujkun duke ardhur, i lë delet dhe ikën. Ujku i rrëmben ato dhe i shpërndan, 13sepse rrogëtari është rrogëtar dhe nuk shqetësohet për delet. 14Unë jam bariu i mirë. Unë i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua, 15ashtu si Ati më njeh mua edhe unë e njoh Atin dhe jap jetën për delet. 16Kam edhe dele të tjera që nuk janë prej kësaj vathe. Duhet t'i mbledh edhe ato. Do ta dëgjojnë zërin tim e do të bëhen një tufë dhe një bari. 17Prandaj më do Ati, sepse unë e jap jetën time që ta marr përsëri. 18Askush nuk mund të ma marrë, por unë e jap vetë. Kam pushtet ta jap dhe kam pushtet ta marr përsëri. Këtë urdhërim mora nga Ati im». 19Këto fjalë shkaktuan përsëri përçarje mes judenjve. 20Shumë prej tyre thoshin: «Ka djallin dhe është i marrë. Përse e dëgjoni?». 21Ndërsa të tjerë thoshin: «Këto fjalë nuk dalin nga një që ka djallin. A mundet djalli të hapë sytë e të verbërve?».
Disa grekë kërkojnë Jezuin
20Midis atyre që kishin shkuar në Jerusalem për të adhuruar gjatë festës ishin edhe disa grekë. 21Ata shkuan te Filipi që ishte nga Betsaida e Galilesë dhe iu lutën: «Zotëri, duam të takojmë Jezuin». 22Filipi shkoi dhe i tha Andreas. Pastaj Andrea dhe Filipi shkuan dhe i thanë Jezuit. 23Jezui u përgjigj: «Erdhi ora që të përlëvdohet Biri i njeriut! 24Me të vërtetë po ju them se nëse kokrra e grurit, që ka rënë në tokë, nuk vdes, mbetet e vetme, por nëse vdes, jep shumë fryt. 25Kush e do jetën e vet, do ta humbasë atë dhe kush e urren jetën e vet në këtë botë, do ta ruajë për jetën e amshuar. 26Nëse dikush më shërben mua, le të vijë pas meje dhe ku jam unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im. Nëse dikush më shërben mua, Ati do ta nderojë».
Urdhërimi i ri
31Kur doli Juda, Jezui tha: «Tani u përlëvdua Biri i njeriut dhe Perëndia u përlëvdua në të. 32Nëse Perëndia u përlëvdua në të, Perëndia do ta përlëvdojë në veten e tij dhe do ta përlëvdojë menjëherë. 33Bijtë e mi, edhe pak kohë jam me ju. Do të më kërkoni, por tani po ju them atë që u thashë judenjve: “Atje ku po shkoj unë, ju nuk mund të vini”. 34Po ju jap një urdhërim të ri: duajeni njëri-tjetrin sikurse ju kam dashur unë. 35Të gjithë do t'ju njohin që jeni dishepujt e mi nëse keni dashuri për njëri-tjetrin».
Jezui është udha për tek Ati
1«Le të mos ju tronditet zemra! Besoni në Perëndinë, besoni edhe në mua! 2Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa, përndryshe nuk do t'ju thosha se po shkoj t'ju bëj gati vendin. 3Kur të shkoj dhe t'ju bëj gati vendin do të kthehem përsëri dhe do t'ju marr pranë vetes, që edhe ju të jeni atje ku jam unë. 4Ju e dini udhën për atje ku po shkoj unë». 5Thomai i tha: «Zot, ne nuk e dimë ku po shkon, si mund ta dimë udhën?». 6Jezui i tha: «Unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Askush nuk shkon tek Ati veçse nëpërmjet meje. 7Nëse më keni njohur mua do të njihni edhe Atin tim. Madje, që tani e njihni dhe e keni parë». 8Filipi i tha: «Zot, na trego Atin dhe kjo na mjafton». 9Jezui i tha: «Ka kaq kohë që jam me ju dhe nuk më ke njohur, Filip? Kush më ka parë mua, ka parë Atin. Si mund të thuash: “Na trego Atin”? 10Nuk beson ti se unë jam në Atin dhe Ati është në mua? Fjalët që ju them nuk i them nga vetja, por Ati që banon në mua i bën këto vepra. 11Më besoni, unë jam në Atin dhe Ati është në mua. Në mos, besoni për shkak të vetë veprave. 12Me të vërtetë po ju them se kush beson në mua do të bëjë edhe ai veprat që bëj unë, madje do të bëjë vepra edhe më të mëdha, sepse unë po shkoj tek Ati. 13Unë do të bëj çdo gjë që do të kërkoni në emrin tim, që Ati të përlëvdohet në Birin. 14Çfarëdo që të më kërkoni në emrin tim, unë do ta bëj».
Premtimi i Shpirtit të Shenjtë
15«Nëse më doni, do të zbatoni urdhërimet e mia. 16Unë do t'i kërkoj Atit t'ju japë një Ngushëllues tjetër, që të jetë përherë me ju, 17Shpirtin e së vërtetës, të cilin bota nuk mund ta marrë, sepse nuk e shikon dhe nuk e njeh. Ju e njihni, sepse qëndron pranë jush dhe do të jetë në ju. 18Nuk do t'ju lë jetimë. Do të vij te ju. 19Edhe pak e bota nuk do të më shohë më, ndërsa ju do të më shihni. Ju do të jetoni sepse jetoj unë. 20Atë ditë ju do të kuptoni se unë jam në Atin tim, ju në mua dhe unë në ju. 21Kush i ka urdhërimet e mia dhe i zbaton ato, ai më do. Atë që më do mua, do ta dojë Ati im. Edhe unë do ta dua dhe do t'i shfaqem». 22Juda, jo Iskarioti, i tha: «Zot, përse do të na shfaqesh neve e jo botës?» 23Jezui i tha: «Kush më do mua do të zbatojë fjalën time. Ati im do ta dojë dhe unë e Ati do të vijmë dhe do të banojmë tek ai. 24Kush nuk më do, nuk i zbaton fjalët e mia. Fjala që dëgjoni nuk është e imja, por e Atit që më dërgoi. 25Këto gjëra jua thashë sa jam ende me ju. 26Ngushëlluesi, Shpirti i Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, ai do t'ju mësojë gjithçka dhe do t'ju kujtojë gjithçka që ju thashë. 27Po ju lë paqen, po ju jap paqen time. Unë nuk jua jap paqen siç jua jep bota. Le të mos ju tronditet zemra, as të mos ju frikësohet! 28Më dëgjuat kur ju thashë: “Po shkoj dhe do të vij përsëri te ju.” Po të më donit do të gëzoheshit që po shkoj tek Ati, sepse Ati është më i madh se unë. 29Jua thashë që tani përpara se të ndodhë, që të besoni kur të ndodhë. 30Nuk do të flas më gjatë me ju, sepse po vjen sundimtari i kësaj bote. Ai nuk ka asnjë pushtet mbi mua. 31Por bota duhet ta dijë se unë e dua Atin dhe bëj atë që më urdhëroi Ati të bëj. Ngrihuni të ikim prej këtej!».
Jezui është hardhia e vërtetë
1«Unë jam hardhia e vërtetë dhe Ati im është vreshtari. 2Çdo shermend që është në mua dhe që nuk jep fryt, ai e këput, ndërsa çdo shermend që jep fryt ai e krasit dhe e pastron, që të japë më shumë fryt. 3Fjala që unë ju kam folur ju ka pastruar tashmë. 4Qëndroni në mua dhe unë do të qëndroj në ju. Sikurse shermendi nuk mund të japë fryt vetvetiu, pa qëndruar në hardhinë, kështu as ju nuk do të mund të jepni fryt nëse nuk qëndroni në mua. 5Unë jam hardhia, ju jeni shermendet. Kush qëndron në mua dhe unë në të, jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë. 6Nëse dikush nuk qëndron në mua do të hidhet jashtë si shermendi dhe do të thahet. Këta shermende do t'i mbledhin, do t'i hedhin në zjarr e do të digjen. 7Po të qëndroni në mua dhe fjalët e mia të qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni dhe do t'ju jepet. 8Në këtë përlëvdohet Ati im: që të jepni shumë fryt e të bëheni dishepujt e mi. 9Unë ju kam dashur, ashtu siç më ka dashur Ati mua. Qëndroni në dashurinë time! 10Po të zbatoni urdhërimet e mia do të qëndroni në dashurinë time, sikurse unë kam zbatuar urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në dashurinë e tij. 11Këto jua thashë që gëzimi im të jetë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë. 12Ky është urdhërimi im: duajeni njëri-tjetrin ashtu siç ju desha unë juve. 13Nuk ka dashuri më të madhe se të japësh jetën për miqtë. 14Ju jeni miqtë e mi nëse bëni ato që ju urdhëroj. 15Nuk ju quaj më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk e di ç'bën i zoti. Por unë ju kam quajtur miq, sepse ju bëra të njohur gjithçka që dëgjova prej Atit tim. 16Nuk më zgjodhët ju mua, por unë ju zgjodha juve. Ju caktova të shkoni dhe të jepni fryt, që fryti juaj të mbetet dhe që Ati t'ju japë çfarëdo që t'i kërkoni në emrin tim. 17Këtë po ju urdhëroj: duajeni njëri-tjetrin».
Lutja e Jezuit
1Si tha këto, Jezui ngriti sytë drejt qiellit e tha: «O Atë, erdhi ora. Përlëvdoje Birin tënd që edhe Biri të të përlëvdojë ty. 2Ti i ke dhënë pushtet mbi çdo njeri, në mënyrë që edhe ai t'u japë jetën e amshuar të gjithë atyre që ti ua ke dhënë. 3Kjo është jeta e amshuar: të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe Jezu Krishtin që dërgove. 4Unë të kam përlëvduar mbi tokë duke kryer veprën që më dhe për të bërë. 5E tani, më përlëvdo ti, o Atë, në praninë tënde, me lavdinë që kisha pranë teje, përpara se të bëhej bota. 6Emrin tënd ua shfaqa njerëzve që ti më dhe nga kjo botë. Ishin të tutë, ti m'i ke dhënë dhe e kanë mbajtur fjalën tënde. 7Tani ata e dinë se gjithçka që më ke dhënë është prej teje, 8sepse fjalët që më dhe mua ua dhashë atyre. Ata i pranuan, kuptuan se unë kam dalë me të vërtetë prej teje dhe besuan se ti më dërgove. 9Unë po lutem për ata. Nuk po lutem për botën, po për ata që më ke dhënë, sepse janë të tutë. 10Gjithçka e imja është e jotja dhe gjithçka e jotja është e imja dhe në ta jam përlëvduar. 11Unë nuk jam më në botë. Ata janë në botë, ndërsa unë po vij te ti. O Atë i shenjtë, ruaji në emrin tënd, në emrin që më dhe mua, që të jenë një, sikurse ne. 12Kur isha me ta, i ruaja në emrin tënd, në emrin që ti më dhe. I mbrojta dhe asnjë prej tyre nuk humbi, përveç birit të humbjes që të përmbushet Shkrimi i shenjtë. 13Tani po vij te ti dhe këto gjëra i them në botë, që ta kenë të plotë gëzimin tim në veten e tyre. 14Unë u dhashë atyre fjalën tënde dhe bota i urreu, sepse ata nuk janë nga bota sikurse dhe unë nuk jam nga bota. 15Nuk të kërkoj t'i heqësh nga bota, por t'i ruash nga i ligu. 16Ata nuk janë nga bota, sikurse dhe unë nuk jam nga bota. 17Shenjtëroji me të vërtetën; fjala jote është e vërteta. 18Sikurse ti më dërgove mua në botë, ashtu edhe unë i dërgova ata në botë. 19Unë e shenjtëroj veten time për ta, që edhe ata të jenë të shenjtëruar me të vërtetën. 20Nuk të lutem vetëm për ta, por edhe për ata që do të besojnë në mua nëpërmjet fjalës së tyre, 21kështu që të gjithë të jenë një. Sikurse ti, o Atë, je në mua dhe unë në ty, edhe ata të jenë në ne, që të besojë bota se ti më ke dërguar. 22Unë u dhashë atyre lavdinë që ti më dhe, që të jenë një sikurse edhe ne jemi një. 23Unë jam në ta dhe ti në mua, që të jenë plotësisht një, që bota të kuptojë se ti më dërgove dhe se i ke dashur ata ashtu siç më ke dashur edhe mua. 24O Atë, dua që atje ku jam unë, të jenë me mua edhe ata që më ke dhënë, që të shohin lavdinë time, që ti ma ke dhënë, sepse më ke dashur përpara se të krijohej bota. 25O Atë i drejtë, bota nuk të njohu, por unë të kam njohur dhe këta e dinë se ti më dërgove. 26Ua kam bërë të njohur emrin tënd dhe do ta bëj të njohur, që dashuria me të cilën më ke dashur mua të jetë në ta, sikurse dhe unë jam në ta».
Vdekja e Jezuit
28Pas këtyre gjërave, Jezui e dinte se tashmë gjithçka ishte kryer dhe, që të përmbushej Shkrimi i shenjtë, tha: «Kam etje!». 29Atje ndodhej një enë e mbushur me uthull. Atëherë ushtarët ngjyen një sfungjer në uthull, e vunë në një degë hisopi dhe ia afruan Jezuit te goja. 30Pasi e provoi uthullën, Jezui tha: «U krye!». Pastaj vari kokën e dha shpirt. 31Ishte e premte dhe e shtuna e nesërme ishte ditë e veçantë. Judenjtë i kërkuan Pilatit t'u thyenin kërcinjtë të kryqëzuarve dhe t'i zbrisnin nga kryqi, që trupat të mos mbeteshin mbi kryq atë të shtunë. 32Atëherë erdhën ushtarët dhe i thyen kërcinjtë të parit, pastaj edhe të dytit që ishte kryqëzuar me Jezuin. 33Kur erdhën te Jezui dhe panë se tashmë kishte vdekur, nuk ia thyen kërcinjtë, 34por njëri nga ushtarët i shpoi brinjën me heshtë dhe menjëherë doli gjak dhe ujë. 35Këto gjëra i ka dëshmuar ai që i pa dhe dëshmia e tij është e vërtetë. Ai e di se thotë të vërtetën që edhe ju të besoni. 36Këto gjëra ndodhën që të përmbushet ajo pjesë e Shkrimit të shenjtë që thotë: Nuk do t'i thyhet asnjë eshtër 37si dhe pjesa tjetër që thotë: Do të shikojnë atë që shpuan me heshtë.
Jezui u shfaqet dishepujve
19Në mbrëmjen e po asaj dite, të dielën, ndërsa dyert e vendit ku rrinin dishepujt ishin të mbyllura nga frika e judenjve, erdhi Jezui, qëndroi në mes dhe u tha: «Paqja me ju!». 20Si tha këto fjalë, u tregoi duart dhe brinjën. Dishepujt u gëzuan kur panë Zotin. 21Pastaj Jezui u tha përsëri: «Paqja me ju! Sikurse Ati më dërgoi mua, ashtu edhe unë ju dërgoj ju». 22Pasi tha këto, hukati mbi ta dhe u tha: «Merrni Shpirtin e Shenjtë! 23Atyre që ua falni mëkatet, do t'u falen, atyre që nuk ua falni, nuk do t'u falen».